You are here: HomeAutoBMW X4 – elementi i peste X

BMW X4 – elementi i peste X

Publikuar ne Auto Wednesday, 26 June 2013 11:18

Karakteri sportiv i BMW X4, është potencuar me lojë dinamike të vijave si dhe me dimensionet e tij – gjatësia është 4.648 mm, gjerësia 1.915 mm, ndërsa lartësia 1.622 mm. Kapaku i zgjatur i motorit dhe kabina kompakte e pasagjerëve, prezantojnë nënshkrimin klasik të BMW-s. Komfori i jashtëzakonshëm në vozitje sigurohet me distancën e madhe mes boshteve prej 2.810 mm, derisa fellnet nga alumini prej 21 inç, tregojnë natyrën prej atleti të këtij modeli të ri Sports Activity Coupe. Duke marrë parasysh se modelet koncept nuk dallojnë shumë nga versionet serike, duhet marrë parasysh të gjitha aspektet e dizajnit.

 

Tiparet e modeleve të deritanishme të BMW-s, janë të pranishme edhe në këtë model-koncept, duke mbajtur pamjen e njohur vizuale, me eksperimentim të vogël me dritat LED. Trendi i filluar me gjeneratën e fundit të Serie 3, në konceptin X4 vazhdon edhe më intensivisht. Brenda fareve kryesore janë të vendosura shiritat gjashtëkëndëshe fluide LED, të cilat në interpretimin e ri paraqesin evoluimin e dritave të njohura "Angel Eyes". Zgjidhja e këtillë bashkon këndet e veturës me maskën e ftohësit, duke i dhënë BMW X4 në pamje të gjerë. Thithësit anësor të ajrit, të vendosur në këndet e mbrojtësit të përparmë, nga ana e jashtme janë më të gjerë se sa nga ana e brendshme. Pjesa e përparme e konceptit X4, është tejet e ngjashme me modelin e famshëm X6. kapaku i zgjatur i motorit, distanca më e madhe mes boshteve dhe vijat në rënie të kulmit që e potencojnë karakterin sportiv të këtij modeli. Shtylla masive C me zgjidhje elegante, ka integruar edhe një sipërfaqe nga xhami, duke ju ofruar vozitësit dhe pasagjerëve prapa një pamje më të mirë të gjendjes jashtë veturës. Pronarët e ardhshëm me siguri se do t'i gëzojë ekzistimi i elementeve të zeza mbrojtëse në këndet përreth rrotave, çka prodhuesi bavarez sugjeron se X4 do të jetë i aftë për lëvizje edhe në rrugë të pashtruara. Fellnet impresive prej 21 inç, janë të poliruara dhe të punuara në kombinim me dy ngjyra me kontrast të theksuar. Edhe bagazhi do të jetë i mjaftueshëm dhe bëhet fjalë për rreth 500 litra.

 

Gamë e gjerë e motorëve

Edhe pse BMW ende zyrtarisht nuk i ka zbardhur detajet rreth gamës së motorëve që do të gjenden në këtë model, burime të sigurta flasin për një mundësi të madhe zgjedhjesh dhe do të përfshijë versione nga modelet X3, X5 dhe X6. Kjo do të thotë se në dispozicion do të gjendet motori dizel 2.0 litërsh me 205 kuaj fuqi, pastaj ai 3.0 litërsh me rreth 270 kuaj fuqi, derisa motori më i fuqishëm do të ketë mbi 360 kuaj fuqi.

 

Sa i përket transmisioneve, në dispozicion do të jenë ata manual dhe automatik me 6, 7 dhe 8 shpejtësi, derisa në ofertë përveç sistemit të tërheqjes me rrotat para, do të gjendet edhe sistemi i tërheqjes me rrota prapa. Sa i përket shpejtësisë, ajo maksimale do të jetë 260 km/h, derisa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, e arrin për vetëm 5.8 sekonda. Sa i përket harxhimeve, ato mesatare pritet të jenë rreth 10 litra për 100 kilometra të kaluara. Prezantimi i këtij modeli do të bëhet në panairin e veturave në Shangai, më vonë gjatë vitit.

 

 

Interieri
Shtylla masive C me zgjidhje elegante, ka integruar edhe një sipërfaqe nga xhami, duke ju ofruar vozitësit dhe pasagjerëve prapa një pamje më të mirë të gjendjes jashtë veturës

Shpejtësia
Sa i përket shpejtësisë, ajo maksimale do të jetë 260 km/h, derisa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, e arrin për vetëm 5.8 sekonda

Harxhimet
Sa i përket harxhimeve, ato mesatare pritet të jenë rreth 10 litra për 100 kilometra të kaluara

Motori
Në dispozicion do të gjendet motori dizel 2.0 litërsh me 205 kuaj fuqi, pastaj ai 3.0 litërsh me rreth 270 kuaj fuqi

Lini nje koment